Pse nuk jam Vehabist?

0
kujdes_nga_vehabistet

Pse nuk jam Vehabist?

Le të merremi pak me pretendimin se Muhamed Ibn Abdul Vehabi ka qenë një “ripërtëritës“ (muxhedid) i fesë. Përpara se ta analizojmë këtë pretendim, është e rëndësishme të kuptohen disa hadithe në lidhje me këtë çështje.Në Hadithin e parë të Pejgamberit (s.a.v.s.) në lidhje më këtë çështje thuhet:
“Gjenerata më e mirë, është gjenerata e kohës sime, pastaj njerëzit që vijnë mbas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre” Me pas do të paraqiten njerëz jo të besueshëm. (Sahih Buhari, Libri i Meritave të Sahabëve të Pejgamberit (s.a.v.s.), vëll. 5 Hadithi nr. 2 & 3, një hadith i ngjashëm gjithashtu në Sahih Buhari, Libri i Dëshmive, vëll. 3. nr. 820; vëll. 8, Kitabu rikaak, nr. 437 dhe të tjera.

Prej kësaj dimë që brezi më i mirë për sa i takon diturisë së Sunetit janë Sahabët e Pejgamberit, pastaj ata që erdhën pas tyre, e më pas ata që erdhën pas tyre. Me fjalë të tjera 3 brezat e parë të cilët e kanë përfundimin rreth vitit 400 pas Hixhretit. Pra 400 vjet pas Hixhretit, periudha e Selefëve ka përfunduar, dhe Pejgamberi (s.a.v.s.) na ka paralajmëruar se pas kësaj do të dalin dijetarë që do t´i mashtrojnë njerëzit, njerëz jo te besueshëm, po përpara se te kemi frike se s´mund t´i besojmë më askujt, të lexojmë këtë hadith tjetër.

Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë:

“Dija do të bartet prej të besueshmeve në çdo brez – ata do ta pastrojnë atë prej transformimeve të bëra prej atyre që i kalojnë kufijtë, prej pretendimeve te rreme te gënjeshtarëve, dhe prej interpretimeve te gabuara te injoranteve” (Mishkatul Mesabih, Hadith nr. 248, i klasifikuar si sahih )

Pejgamberi (s.a.v.s.) na tregon pra këtu, se do të ketë gjithmonë dijetarë të besueshëm që do ta mbrojnë Sunetin, e do t´i refuzojnë njerëzit e bidatit.

Gjithashtu në Hadithin që vazhdon. Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë:

“Në çdo 100 vjet Allahu do t´i dërgoje këtij umeti një ripërtëritës të Fesë së Tij.“ Sunen Ebu Davud, Kitabul Melehem, Hadithi nr. 4291. Ky hadith është konsideruar edhe prej dijetarit vehabist Albanit si sahih në Silsileh es-Sahihah 2/148, Hadithi nr. 599.

Ky hadith është jashtëzakonisht i rëndësishëm për t´u kuptuar, sepse fjala e përdorur në arabisht për ripërtëritës është muxhedid, që do të thotë dikush që e rigjallëron fenë duke komanduar Sunetin dhe duke ndaluar bidatin. Gjithashtu vini re se si I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se një muxhedid do të dërgohet çdo 100 vjet!
Kjo nënkupton se çdo ripërtëritës do të duhet të konfirmojë mesazhin e rigjallëruesve paraardhës. Pra secili prej këtyre ripërtëritësve duhet te komandojnë Sunetin dhe te refuzojnë inovacionet/risitë e secilit shekull. Pikërisht kjo është sfida që i bëhet pretendimit se Muhamed Ibn Abdul Vehabi ka qenë një rigjallërues, sepse që të jetë ai gjallërues, Vehabijtë duhet të tregojnë nga një ripërtritës për çdo shekull, qe e ka transmetuar mesazhin e Muhamed ibn Abdul Vehabit. Po cili ka qene mesazhi i tij?

Ai pretendon se mushriket e Mekes, ushtronin Tevhidin Rububijjeh dhe qe tevhidi i tyre do të kishte qenë i përkryer nëse ata nuk do të kishin adhuruar/thirrur në ndihmë të tjerë përkrah Allahut.
Ai gjithashtu i mësoi ndjekësit e tij se Muslimanët kanë devijuar nga shekulli i katërt e mbrapa, dhe kanë rënë në idhujtari, dhe që idhujtaria në Mekke dhe Medine ka qenë e shfrenuar Ai gjithashtu pretendon se Muslimanët e kohës së tij, ishin thellë në shirk dhe kufr, më thellë se mushrikët e Mekës.
Ai e konsideron të lejueshme derdhjen e gjakut të tyre (myslimaneve të kohës së tij) dhe konfiskimin e pasurisë se tyre, dhe sipas tij shehadeti i tyre ishte i pavlefshëm.
Sipas tij ndjekja e katër medhhebeve është Shirk, sepse me këtë Muslimanët po adhuronin Imamët e medhhebeve sikur Çifutet dhe të Krishterët adhuronin priftërinjtë dhe rabinët e tyre.
Sipas tij festimi i Mevludit të Pejgamberit s.a.v.s. është shirk, sepse ne këtë mënyrë Muslimanët e ngritnin Pejgamberin në nivelin e Perëndisë, sikur të Krishterët që kanë vepruar me Isain.

Rezulton problematike për Vehabistët te gjejnë muxhedid të tjerë në çdo shekull që kanë ardhur të predikojnë të njejtin mesazh si Muhamed Ibn Abdul Vehabi.

Vehabijtë kurrë s´mund të gjejnë asnjë muxhedid tjetër që ka thënë të njëjtat gjëra sikur Muhamed Ibn Abdul Vehabi, dhe me këtë pretendimi i tyre për Islam të pastër (burimorë) rrezohet.

Kështu pra mund të konkludojmë se Muhamed Ibn Abdul Vehabi ka qene një bidatçi, që ka sjellë diçka të re, të panjohur për muxhedidët e tjerë.
Kjo është një tjetër arsye pse nuk jam vehabist.