Shkruan: Dr. Musli Vërbani
Limiti i profitit në tregti i papërcaktuar
Kategori: Fikhu
Tregtia është një lloj aktiviteti ekonomik që merret me shitblerjen dhe shpërndarjen e prodhimeve të ndryshme me qëllim të furnizimit të popullsisë. Shitblerja e mallrave bëhet me qëllim të profitit. Edhe qëllimi i tregtarit është profiti.
Profiti është: dallimi pozitiv ndërmjet çmimit të shitjes së mallit dhe çmimit të blerjes së tij, duke i llogaritur edhe harxhimet tregtare.
Kur’ani e ka përmendur tregtinë në shumë raste ndërsa ne do t’i përmendim disa prej tyre:
Thotë Zoti i Lartmadhëruar:
“O ju që besuat, mos hani mallin e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, përpos tregtisë në të cilën keni pajtueshmëri mes vete…” (en-Nisa, 29).
“E All-llahu e ka lejuar shitblerjen, por e ka ndaluar kamatën.” (El-Bekare: 275).
Kur’ani tregon se edhe njëri prej Pejgamberve, pra Jusufi a.s. është shitblerë: “Dhe ata e shitën atë (Jusufin) për një çmim të ulët, thjesht për disa dirhemë, sepse nuk kishin interesim (për çmim të lartë) dhe nuk lakmuan.” (Jusuf: 20).
Kur’ani po ashtu tregon edhe për sigurinë e fisit Kurejsh, për furnizimin dhe sigurimin e jetesës së tyre, si dhe dy udhëtimet e njohura të kurejshëve ndërmjet Jemenit dhe Shamit, dhe thotë: “Për të mbrojtur dhe siguruar kurejshët! Garantimin e udhëtimit të tyre të lirë dimrit dhe verës! Pra, le ta adhurojnë Zotin e kësaj shtëpie i Cili i ushqen ata në kohëra të urisë dhe i siguron nga frika.” (Kurejsh: 1-4).
Tregtia bëhet nga të gjitha anët e botës si nga veriu ne jug po ashtu nga lindja në perëndim sepse natyrshmëri e mallrave është të këmbehen nga të gjitha anët e botës. Edhe Muhamedi a.s. është marrë me tregti para se të ishte pejgamber që do të thotë se njëri prej profesioneve të Muhamedit a.s. ka qenë tregtia.
Ekzistojnë hadithe të shumta të cilat flasin për fushën e tregtisë dhe rëndësinë e saj.
Muhamedi a.s. ka stimuluar tregtinë me qëllim të realizimit të profitit pas mbulimit të harxhimeve dhe nuk e ka përmendur diku në përcaktimin e përqindjes së caktuar të profitit.
Bëhet pyetja: pse nuk e ka përkufizuar limitin e profitit?.
Kjo nga shkaku se ka dallim në mes të shitjes së mallrave me shumicë ndaj mallrave të cilat shiten me pakicë, ndaj shitblerjes së mallrave të artikujve elementarë dhe atyre jo elementarë, ndaj mallrave të cilave u skadon afati për një afat të shkurtër dhe mallrave të cilave u skadon afati pas një kohe të gjatë, ndaj mallit i cili sigurohet me lehtësi dhe mallit i cili sigurohet me vështirësi. Po ashtu nuk ekziston ndonjë tekst i cili do të obligonte ose më së paku do të preferonte përqindje të caktuar profiti ose të jetë profit i cili nuk duhet ta tejkalojë përqindjen e profitit në minimum të limitit si p.sh. në 5%, 10%, 20%, 30%, etj. Dhe do të ishte e padrejtë përcaktimi i përqindjes fikse për të gjitha mallrat, për të gjitha vendet, për të gjitha kohët.
Kur i është kërkuar Muhamedit a.s. të bënte përcaktimin e çmimeve të mallrave të tregut ai është përgjigjur: “Vërtet Ai është Allahu i cili cakton furnizimin, cakton çmimin dhe ofron rrugëdalje ose ngushton furnizimin. Unë për shkak të ndonjë padrejtësie ndaj jush si në pasuri ashtu edhe për lirinë tuaj nuk dëshiroj të dal para Allahut dhe ju të kërkoni të drejtën e juaj para meje.
Shkalla më e ulët që duhet ta realizojë tregtia e suksesshme është që profiti ta mbulojë sasinë obligative të zekatit në pasurinë përkatëse si dhe harxhimet e bëra nga pronari për ato mallra.
Muhamedi a.s. ka aprovua profitin 100%. Transmetohet se Muhamedi a.s. i kishte dhënë Urves (njërit prej sehabeve) një dinarë që t’i blejë një dele, ndërsa Urve me një dinar i kishte blerë dy dele dhe pastaj njërën dele e kishte shitur për një dinarë, kështu që ia kishte kthyer Pejgamberit a.s. një dinar dhe ia kishte dërgua një dele. Në atë rast Pejgamberi a.s. i është lutur All-llahut që t’ia bëjë të bereqetshme tregtinë e tij. Kështu, Urveja sikur të blente madje edhe baltë do të përfitonte nga ajo (baltë). (Transmeton Buhariu)
Mund të përfundojmë në atë se mashtrimi në tregti është i ndaluar ndërsa limiti i profitit është i papërcaktuar dhe se profitin e cakton ekonomia e tregut.