Pse ta festojmë vitin e ri?

0

Sa herë që bisedohet për (mos) festimin e vitit të ri, zakonisht njerëzit na pyesin: Pse të mos e festojmë vitin e ri? Nëse pyetja është e paarsyeshme, atëherë si mund që përgjigja të jetë e arsyeshme?! Është fakt i pa kontestuar se shumë herë nga shumë hoxhallarë i është dhënë përgjigje pyetjes pse nuk duhet festuar vitin e ri, por ajo që më intereson sot ështëpërgjigja e pyetjes: Pse duhet ta festojmë vitin e ri? Cili është aspekti fetar, kombëtar, mbase edhe njerëzor që na detyron së paku moralisht të festojmë vitin e ri? Cili është elementi që neve si shqiptarë apo edhe si musliman na lidhë me vitin e ri që ne duhet ta manifestojmë përmes veprimeve konkrete? Këto janë vetëm disa pyetje që kërkojnë përgjigje, edhe pse nuk e kam shumë të qartë se kush është përgjegjës për të dhënë përgjigje.

Manifestimi i vitit të ri, vetëm në një segment mund të ketë përfitime! Ky segment është segmenti i përfitimit të të mirave materiale që arkëtojnë shitoret e ndryshme, pastaj shërbimet hotelerike dhe këngëtarët të cilët në emër të ndonjë patriotizmi apo kulture të pakulturuar dhe njohur ende prej askujt si kulturë, përfitojnë para të majme, natyrisht prej kokëtulëve. Megjithatë, edhe më tutje unë e kam të pa qartë se cili është elementi që neve, qoftë si fetar musliman e qoftë si shqiptarë na lidhë me manifestimin e vitit të ri?

Nëse një element i tillë nuk ekziston për të na nxitur drejt manifestimit të vitit të ri, atëherë cila është logjika e manifestimit. Sigurisht se dikush nga emancipuesit e verbër do të më përgjigjej me kundër pyetje: vallë pse të mos e festomë?  Ndoshta do të ishte e ngjashme me pyetjen: pse vallë rrugët të mos ndriçohen edhe gjatë ditës? Kjo është pyetje e paarsyeshme, sepse pyetja me vend do të duhej të ishte: Pse duhet ndriçuar kur ato janë të ndriçuara me dritën e diellit, llambat elektrike nuk bëjnë dritë kur është në pyetje drita e Diellit?  Ndërsa, shtrohet pyetja tjetër: për çka i shërben të verbrit drita? Ndoshta për t’ia bërë me dije syçelëve se pranë jush është një i verbër i cili i gëzohet dritës, jo pse ai mund ta ketë ndonjë dobi, porse ai është aq njerëzor sa nuk dëshiron që edhe të tjerët ta kenë fatin e tij, qoftë edhe për disa sekonda. Kurse disa të gjorët syçelë shpesh dalin të jenë shumë më të verbër se vetë të verbërit të sprovuar prej Zotit.

Prof. Jusuf Zimeri