Nekrofilia e Muhamedit s.a.v.s.

0

Nekrofilia e Muhamedit ()

(Përgënjeshtrimi i shpifjeve te injorantëve)

Autor: Alban Çuli

Që profeti Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të) ka kryer marrëdhenie seksuale me Fatimen, bijën e Esedit, kur ajo ka qenë e vdekur, është një deklarim absurd, dashakeq dhe i sajuar (i shpifur).

Kam lexuar artikuj të ndryshëm rreth këtij pretendimi, nga autorë të ndryshëm, ateiste si dhe të krishterë, ku të gjithë i përmbahen të njëjtave fjalë – si të ishin pasues të njëri-tjetrit, e asgjë më shumë, për më tepër se kaq – që të gjithë së bashku kanë një pikë referimi: priftin kutbist, egjyptian, Zekerija Butrus. E ky vetë nuk i përmbahet ndonjë metodologjie shkencore. Ashtu sikurse edhe pala tjetër e ateistëve, gërmojne të gjejnë të pamundurën e të sajojnë ide literaliste, formë gjuhësore e përkthime të cilat janë jashtë kontekstit ose duke i shkëputur nga konteksti, pa asnjë formë minimale të hermeneutikës apo metodave me të thjeshta të interpretimit.

 

Para se të hyjmë në thelbin e analizës, le të themi fillimisht se mënyra më e drejtëpërdrejtë për t’iu përgjigjur këtyre pretendimeve të kota është jurisprudenca islame – fik’hu. Në kuptimin se, nëse këto pretendime janë të vërteta, atëherë akti i nekrofilisë duhet të jetë i lejuar në Islam.

 

Atëherë, çfare thonë ekspertët e fik’hut (për këtë gjë)?

 

• Shejh-ul-Islam Ibën Haxher el-Hejtemiu e ka renditur nekrofilinë në listën e gjunaheve (shih: “Ez-Zeuaxhir”, Kapitulli 2, fq. 236).

• Shemsuddin esh-Sherbini në “Mugn’il muhtaxh”, shpjegimi i terminologjive të “Minhaxh”, Kapitulli 5, fq. 445, e trajton nekrofilinë si të ndaluar.

• Enciklopedia Kuvajtiane e Jurisprudencës Islame (“El-Meusuah el-Fek’hijeh el-Kuajtijeh”, Kapitulli 44, fq. 31) e trajton nekrofilinë si të ndaluar.

• Imam Neveviu (në “Mexhmua el-Muhedheb”, libri “Xhenaze”, Kapitulli “Larja e të vdekurve”, fq. 117-118) citon nga Shejh-ul-Islam Ebu Hamid el-Isfrajiniju që: “Ndalohet të shikuarit me epsh seksual të femrës së vdekur, lakuriq, nga burri i saj.” Nekrofilia nuk hyn në hesap/temë fare, atëherë…!

• Imam Er-Ruhejbani el-Hanbeli ed-Dimashkij citon nga Kadi Ijadi (Gjykatësi) i Sheriatit në librin “Metalib ulin-nehji fi sherh gajet’il munteha”.

• Edhe Imam El-Merdauij në librin “El-Insaf”, Kapitulli 8, fq. 309, Kadi Ijadi përcjell unanimitetin e të gjithë juristëve (fakihëve) të Sheriatit dhe thotë: “Marrëdhënia seksuale me të vdekurin është haram”.

    Edhe pse besoj se kjo do të mjaftonte për të thënë se Sheriati Islam e ndalon nekrofilinë, e nëse do të vazhdonim të sillnim nga dijetarët e jurisprudencës islame, nuk do të na mjaftonte koha të merreshim me thelbin e problemit edhe në aspektin e përgënjeshtrimit të drejtëpërdrejtë të pretendimeve.

Bazuar në sa thamë me sipër, për ne është e sigurt se pretendimi i nekrofilisë në dëm të profetit Muhamed (ﷺ) është e padrejtë, e pavlefshme dhe shpifje. Do të analizojmë tashmë metodologjinë e përdorur nga pretenduesi Zekerija Butrus dhe transmetimin tek i cili ai mbështetet. Ky kurs veprimi do të na mjaftojë për të qenë plotësisht të njohur me këtë pretendim dhe në gjendje për të shpjeguar se pse ky pretendim është i padrejtë dhe tërësisht falsë.

 

Autenticiteti

 

Transmeimi i cili është përdorur për të përdhosur figurën e profetit Muhamed (ﷺ) vjen nga libri “Kenz-ul-ummal”. Ky libër nuk është ndër librat burimor autoritativ. Në të gjenden transmetime të fabrikuara apo të shpikura, ashtu sikurse gjenden edhe transmetime të cilat në terminologjinë e rivajetit cilësohen të “dobëta” apo “daif”. Për më tepër, që transmetimet individuale apo “ehad” kanë nevojë për kontroll të rreptë.

 

Transmetimi

 

Nga Ibn Abbas: “Kur vdiq Fatime bint Esed ibn Hashim, e cila ka qenë përgjegjëse për rritjen dhe edukimin e Profetit, pas vdekjes së Abdul Muttalibit, Profeti i bëri qefin këmishën e tij, ia fali xhenazen dhe u lut për faljen dhe shpërblimin e saj, e cila i pat shërbyer atij dhe “fjeti me të në varrin e saj.” Kjo sipas përkthimit në anglishte (“slept with her”) kur atë e vendosën aty.
Profetit i thanë: “Bëre diçka që nuk e ke bërë me askënd.” Tha: “E kam bërë këmishën time qefin për të, që Allahu ta fusë nën rahmet (mëshirë) dhe ta falë, dhe fjeta në varrin e saj, që Allahu t’ia lehtësojë vështirësinë.”

 

Parë në mënyrë të drejtpërdrejtë i gjithë ky transmetim, nuk rezulton aspak të ketë pasur nekrofili (siç pretendohet) si dhe asnjë gabim i cili mund të cojç mendjen (kuptimin) se aty pati një marrëdhënie seksuale.
Hetuar, gjithashtu sipas përkthimeve të anglishtes, që jep kuptimin “te flesh me dikë në varr”, vërtetë është një dukuri e çuditshme. Gjithsesi, pasi konteksti është dhënë në atë formë, ne do të sjellim se çfarë aktualisht ka ndodhur nv të vërtetë.

 

Konteksti dhe shpjegimi

 

Fillimisht, përkthimi që i bëhet këtij transmetimi me shprehjen e gabuar “fjeti”, nuk është përkthim korrekt e aspak i saktë i fjalës arabe “اضطجع” – idtaxhe’a, në asnje prej fjalorëve. Kuptimi i asaj fjale në shqip është “u shtri poshtë”, “u shtri”, “mbështetet”, “mbështetet me kurriz”, “rehatohet”, “prehet”.
Fjala “fjeti” ose “të bërit seks” apo “marrëdhënie seksuale”, nuk paraqitet askund e fjala në transmetim nuk lë asnjë shenjë të kuptimit të tillë.

 

Pyetja që duhet shtruar: A është “fjeti” apo “u shtri” profeti në varr?!

 

Konteksti i transmetimit e shpejgon të gjithën, që Muhamedi s’mund të ketë “fjetur” në varr, përkundrazi është “shtrirë” varrit.
Ky kontekst aktualisht merr kuptim bazuar në burime tjera të ngjarjes në fjalë, të cilat, për nga statusi i transmetimit, janë “të sakta” (sahih), përkundër transmetimit në “Kenz-ul-ummal” që është i dobët, të cilin do ta paraqesim në vazhdim.

“Kur varri u be gati, vetë Muhamedi e kontrolloi dhe e vendosi atë (Fatimen) në varr”.

 

 

Transmetime të tjera të sakta (sahih)

 

Nga Ibn Abbas: “Një ditë prej ditëve, Ali ibën Ebi Talib takoi Profetin (ﷺ) dhe e përshëndeti duke qarë e duke thënë: “Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.” Profeti e pyeti: “Ç’ke, o Ali?” Tha: “Më vdiq nëna Fatime”. Profeti (ﷺ) qau bashkë me të dhe tha: “Allahu e mëshiroftë nënën tënde, o Ali! Edhe pse ajo ka qenë nëna jote, ajo për mua ka qenë gjithashtu nënë. Merre shallin dhe këto dy rroba të mia dhe bëja qefin (arkivoli) asaj. Urdhëro gratë që ta lajnë dhe të mos e nxjerrin pa ia plotësuar të gjitha (kushtet e varrimit)”.”
Tha (Ibn Abbasi): “Profeti (ﷺ) erdhi pas një farë kohe dhe e nxorën nënën e Aliut. Ai ia fali xhenazen, me atë ndjeshmëri që s’ia kishte falur (xhenazen) kujt më parë. Pastaj, bëri tekbire dyzet herë. Më pas, hyri në varr e u shtri (qëndroi) aty. Nuk dëgjoi asnjë pipëtimë e asnjë zë, gjithçka kishte heshtur. Pastaj tha: “O Ali, hyr! O Hasan hyr!” dhe hynë të dy në varr. E pasi përfunduan ç’kishin për teë bërë atypari, i tha Aliut dhe Hasanit: “Dilni!” Pastaj nisi me duar e me këmbë të hapë vend deri në kokë. Pastaj tha: “Oj Fatime, unë jam zotëria e Bijve të Ademit (njerëzimit), me gjithë modestinë time. Nëse të vijnë dy enjgjëjt, Munkir e Nekir, e të pyesin se kush është Zoti yt, thuaju se “Allahu është Zoti im” (duke vazhduar ceremoninë) (e kështu deri në fund të ngjarjes).”

 

Transmetim tjetër nga Enes ibën Malik: “Kur vdiq Fatime bint Esed, i shkoi Profeti (ﷺ) tek koka dhe i tha: “Allahu të mëshiroftë, oj nëna ime, pas nënës sime.” Pastaj urdhëroi t’i hapnin asaj një varr dhe kur erdhi në një farë mase thellësie, ai hyri dhe e gërmoi me duart e veta lahdin (lloj varri me hapje anësore si dhomëz, në formë “L”-je), pasi e nxori gjithë dheun, u shtri (mbështet) aty (në dhomëz).”

 

    A ka hyre Muhamedi me mëndeshën (nënën që ijep gji) Fatime bint Esed në varr?

 

Siç duket, edhe nga transmetimet e mësipërme, Muhamedi e ka përgatitur varrin me duart e tij. Ai e ka kontrolluar atë, më pas është shtrirë (ka qëndruar) në të për ta ekzaminuar  gjerësinë dhe gjatësinë e varrit.

E megjithatë, ka dy lloje varresh: 1) “shakk”, i cili ka hapsirë të pjerrët e është e pamundur që të shtrihesh me kufomën në këndore; si dhe 2) “lahd”, i cili, siç thamë edhe me lartë, ka pjesë anësore si dhomëz e është e pamundur që një i dytë të hyjë në atë dhomëz, ku pjesa e sipërme e tokës vjen drejt mbi fytyrë.
Prandaj, ajo që duket e qartë si dielli është se Muhamedi (ﷺ) ka hyrë në varr për t’i parë kushtet (përmasat) e varrit përpara se Fatime bint Esed të vendoset aty.

 

Shprehja “u shtri me të në varrin e saj” edhe në formën literale të të kuptuarit nuk jep të dallosh se aty ka ndodhur një marrëdhenie seksuale. E nëse Muhamedi ka hyrë në varrin e saj për ta ekzaminuar, këtu nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi është akt për ta nderuar nënën e tij, e cila është kujdesur për të dhe e ka rritur atë. Këtë akt çdokush mund ta bëjë.

 

    E keqja tjetër nga Zekerija Butrus kur pretendon se “kreu marrëdhënie seksuale për t’i dhënë asaj një status special”

 

Ai thotë se, “akti i Muhamedit duhet kuptuar se përmes marrëdhënies seksuale do t’i jepte asaj statusin e nënës së besimtarëve.”
Kjo është një çmenduri e vërtetë, ku nuk ka ku të shkojë më tej. Fatime bint Esed nuk ka nevojë për “status special”, sepse ajo e ka statusin special të titulluar “mëndesha e Muhamedit”.
Falsiteti qëndron në faktin se, as Zekerija Butrus e askush tjetër që i bie këmbanave të këtij mashtrimi e kësaj shpifje, nuk tregon se Fatime bint Esed është mëndesha e Muhamedit (ﷺ).
Kjo, përshkak se të gjithë këtë strumbullar mashtrues duhej ta titullonin, në të kundërtën, si do të nxirrnin këtë mashtrim (shpifje)? Prandaj, pretendimet e njerëzve si Zekerija Butrus duken që në fillim, ngase janë broçkulla të ujdisura me fije merimange.

 

Hipokrizia e priftit kutbist Zekerija Butrus

 

Personi i cili e ka nxjerrur këtë mashtrim është një i krishter, përjashtuar të krishterët e mirë, ky person shfaq hapur hipokrizinë prej prifti kutbist dhe të gjithë sharlatanët fetarë, jofetarë e ateistë e ndjekin në lidhje me këtë lloj mashtrimi.
Por, në perspektivën e krishtere, fjala “idtaxhe’a” (اضطجع) i përdorur në Biblën në gjuhën arabe, nga vetë kutbistët, nuk është përkthyer si “seksualitet” as si “marrëdhënie seksuale” e as si “fjeti”, por është përkthyer “shtrirë”. A mundet tashmë prifti dhe sharlatanët e tjerë të jenë konsekuent duke e barasvlerësuar këtë pretendim të trashë prej budallai?
Lexojeni në Mbretërit 2, 4:32:  “Kur Eliseu hyri në shtëpi, e pa fëmijën të vdekur dhe të shtrirë në shtratin e tij.” Aty do ta shihni “të shtrirë” në shtratin e tij, pra Bibla në arabishte ka të njëjtin kontekst, jashtë transmetimit të pretenduar nga ata.

 

 

Vërejtje: Shkrimi është e veçuar për Albaƒonika – media alternative

https://www.facebook.com/Albafonika
http://youtube.com/albafonika
http://www.albafonika.com

E publikoi: Albaƒonika.com
Editoi: Harun M. Xhaferi
Korrektoi & lekturoi: E. Arifi

 

© 2015 www.albafonika.com

Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet ripublikimi pa cekur burimin si dhe bashkangjitur adresën e Albaƒonika.com.

hz.muhammed.as_